Brownbag Seminars "Cilësia në edukimin juridik, bazë për reformën në drejtësi"

Idlir Peçi: Cilësia në edukimin juridik, bazë për reformën në drejtësi

Në kuadër të ciklit “Brownbag Seminars”, zv. Ministri i Drejtësisë z. Idlir Peçi ishte i ftuar nga klubi studentor “Bedër Law Academy” në një leksion të hapur ku ndau me studentët dhe të pranishmit pikëpamjet rreth “Reformës në Drejtësi” 

“Reforma në drejtësi është një nga sfidat më të rëndësishme që kërkon përkushtim të vazhdueshëm të të gjithë aktorëve”- tha zv ministri gjatë prezantimit të ecurisë së deritanishme të kësaj reforme dhe të institucioneve që janë pjesë e saj.

Ndër të tjera z. Peçi u shpreh se për reformimin e strukturave në drejtësi nuk është i domosdoshëm ndryshimi i individëve, por ndryshimi i sistemit në tërësi, dukë filluar që nga edukimi juridik, i cili është baza e mbarëvajtjes së marrëdhenieve juridiko-shoqërore dhe duke vazhduar më tej me ndryshimet institucionale. Në të njëjtën kohë, z. Peçi vlerësoi Shkollën e Magjistraturës si një nga institucionet model në vendin tonë duke përmendur cilësinë që garanton ku së fundmi i është shtuar edhe kërkimi shkencor.

Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetje të shumta nga të pranishmit ku nuk u la pa përmendur as reforma në sistemin e burgjeve në Shqipëri për të vijuar me eksperiencat e shumta profesionale që zv ministri ndau me studentët.