Të miturit në objektivin e medias

Departamenti i Shkencave të Komunikimit pranë Kolegjit Universitar Bedër në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe Albanian Center for Public Communication zhvilluan ditën e djeshme workshop-in me temë: "Të miturit në objektivin e medias".

Për të diskutuar në panel ishin të ftuar Drejtori i Drejtorisë së Programeve në AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive) z. Arben Muka, korrespondentja e AFP-së (Agence France-Presse) në Shqipëri, znj. Briseida Mema, Korrespondenti i “The Associated Press” z. Llazan Semini, Kryetari i Unionit të Gazetarëve, z. Aleksandër Çipa, Koordinatori për Marrëdhënie me Publikun dhe Median në Fondin e Ballkanit Perëndimor, z. Alban Tartari, si dhe pedagogu e shkrimtari i njohur z. Agron Tufa.

Gjatë workshop-it, nën moderimin e përgjegjësit të Shkencave të Komunikimit Dr. Erlis Çela, u diskutua mbi situatën aktuale në media të trajtimit të figurës së të miturve dhe programacionin që i dedikohet kësaj moshe. Zv. Dekani në Fakultetin e Shkencave Humane të Kolegjit Universitar Bedër, Dr. Ramadan Çipuri dhe z.Alban Tartari ndanë me studentët e masterit në Kolegjin Universitar Bedër eksperiencat dhe rezultatet gjatë punimit të këtij projekti në workshop-et e organizuara në disa nga qytetet e vendit tonë me gazetarët e mediave lokale. Gjithashtu u diskutua edhe në lidhje me ligjet aktuale dhe rolin e organizatave për trajnimin dhe vendosjen e rregullatorëve për mediat në lidhje me pasqyrimin e figurës së fëmijëve dhe standardet etike në televizion dhe media të tjera. Ky takim ishte dhe finalizim i projektit mbi “Etikën e raportimit rreth të miturve” të zhvilluar në disa qytete të Shqipërisë.

Në përfundim të workshop-it studentët e masterit në Kolegjin Universitar Bedër ndanë edhe mendimet e tyre në lidhje me temën.