Gjyqtari amerikan, seminar me studentët e drejtësisë

Anëtari i Gjykatës së Lartë të Los Anxhelosit, Stephen Czuleger, ishte i ftuari radhës në një seminar me studentët e drejtësisë në “Bedër”, për të bashkëbiseduar me ta rreth temës: “Etika Gjyqësore - Shmangia e dështimeve”.

Gjatë prezantimit, gjyqtari Czuleger i njohu studentët e drejtësisë me parashikimet e legjislacionit amerikan në kuadër të rregullave të etikës që duhen zbatuar nga gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Ai u fokusua veçanërisht në çështje të etikës, paanshmërisë dhe profesionalizmit të figurës së gjyqtarit.

Gjyqtari Czuleger trajtoi edhe çështjen e korrupsionit në sistemin gjyqësor. Ai vlerësoi faktin se, pavarësisht ekzistencës së këtij fenomeni, shqiptarët janë të vendosur për të ndryshuar gjendjen aktuale dhe tregues për këtë është procesi i vetingut. Duke vlerësuar progresin e deritanishëm në luftën kundër korrupsionit, Czuleger u shpreh optimist për të ardhmen dhe nxiti të rinjtë të angazhohen në këtë proces.

Në përfundim të seminarit u zhvillua një diskutim me studentët në lidhje me sfidat që përballet sistemi i drejtësisë në Shqipëri dhe alternativat për përmirësimin e tij.

Gjyqtari Czuleger inkurajoi të gjithë studentët të bëhen pjesë aktive e këtyre ndryshimeve dhe të zbatojnë rregullat e etikës profesionale me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit të drejtësisë dhe rritjen e besimit të publikut.