Zhvillohet konferenca shkencore me titull: "Agjërimi dhe Njeriu

Zhvillohet konferenca a parë shkencore me titull: "Agjërimi dhe Njeriu (Ndikimi i agjërimit në jetën individuale dhe sociale të njeriut)", organizuar nga Instituti i Studimeve Islame "H. Sabri Koçi" në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër”.
Në ceremoninë e hapjes, e cila u zhvillua në sallën e konferencave, ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Pedagogu i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, z. Jamal al-Safarti, Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica, akademikë të shumtë, studiues, myftij, imamë, si dhe një numër i konsiderueshëm studentësh. 
Konferenca nisi punimet e saj me leximin e disa ajeteve Kuranore nga hafizi Enes Hyka, për të vijuar më pas me fjalën hapëse të nënkryetarit të KMSH-së, z. Bica, i cili falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe të gjithë kontributorët në organizimin e kësaj konference, e para në llojin e saj.
Ndërsa Kryetari Spahiu, në përshëndetjen e rastit, u ndal në vlerat që mbart muaji i Ramazanit, për ne si besimtarë në veçanti por edhe për mbarë shoqërinë në përgjithësi. 
Më tej, të pranishmit i përshëndeti edhe z. Safarti, Pedagog i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, i cili shprehu kënaqësinë e të qenit bashkëorganizator në këtë konferencë kaq domethënëse kushtuar muajit më të begatë për besimtarët. 
Konferenca u zhvillua më tej në 3 sesione të ndryshme, në të cilat referuesit sollën në fokus aspekte nga më të ndryshmet të agjërimit, përmendim këtu: “Dobitë e agjërimit në planin shpirtëror dhe moral”, “Dimensioni social i agjërimit”, “Jurisprudenca e agjërimit”, “Ramazani dhe fëmijët”, “Aspekti shëndetësor i agjërimit”, “Gruaja myslimane Shqiptare në Ramazan”, “Agjërimi, parandaluesi i mëkateve”, etj.