Zhvillohet seminari me temë: “Gjuha dhe Letërsia në Epokën Digjitale”

120 mësues të gjuhës dhe letërsisë shqipe trajnohen rreth platformave digjitale në mësimdhënie  

Seminari i organizuar nga Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit në Kolegjin Universitar Bedër, në bashkëpunim me DAR Tirana, mblodhi sëbashku rreth 120 mësues të shkollave të ciklit 9- vjeçar dhe të mesëm të qarkut të Tiranës.

Mësimdhënia e gjuhës dhe letërsisë shqipe nëpërmjet inkuadrimit të formave të reja digjitale në këtë proces, si dhe marrëdhënia aktuale ndërmjet tyre ishte tematika kryesore e këtij seminari.

Paneli i referuesve përbëhej nga Prof. Dr. Dhurata Shehri, Përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, e cila kumtoi mbi hendekun midis letërsisë kanonike dhe asaj të demokratizuar.

Gjatë fjalës së saj ajo theksoi se nuk ekziston një kanon i vetëm letrar dhe se sot nxënësit duhen përballur me një formë tjetër të të mësuarit të lëndës së letërsisë. Konkretisht jo përmes interpretimit të tekstit e përfoljes mbi atë çka thuhet për veprën nga analiza pseudoletrare por me një qasje kritike subjektive vetjake të hapur ndaj perspektivave të ndryshme.

Më tej Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Përgjegjës i Fakultetit të Edukimit në Bedër, referoi mbi leximin artistik në epokën digjitale dhe vuri theksin mbi teoritë e fundit të leximit letrar dhe faktin se mësuesit duhet të përqafojnë një qasje e cila i mëson nxënësit të vlerësojnë estetikën dhe të shijuarin e leximit artistik.

Prof. Asoc. Dr. Enkeleda Kapia, përgjegjëse e Departamentit të Leksikologjisë dhe Gjuhësisë së zbatuar, njëkohësisht edhe referuesja e tretë e këtij seminari, referoi mbi lidhjen e ngushtë midis kompetencave gjuhësore dhe platformave digjitale, të cilat e afrojnë nxënësin me realizimin e aftësive në gjuhën shqipe por pa e kthyer lëndën në varësi të digjitalizimit. Kështu digjitalizimi është mjeti për realizimin e kompetencave gjuhësore dhe jo qëllimi i lëndës.

Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetje të shumta nga të pranishmit të cilat i dhanë një formë interaktiviteti diskutimit rreth aspekteve të ndryshme të temës së seminarit.