Drejtësi (5-vjeçar)

Programi i Integruar i Studimit të Ciklit të Dytë: Master i Shkencave në Drejtësi
 
a) Rreth programit
 
Programi i  integruar i studimit të ciklit të dytë “Master i Shkencave në Drejtësi”parashtron një arsim për të gjithë ata studentë që janë të interesuar të ndërtojnë karrierën e tyre profesionale si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat në fushën e drejtësisë. Ky program i ofron studentëve mundësi të përgatiten për pjesëmarrje aktive dhe efektive si profesionistë në: këshillime ligjore, mbrojtje dhe vendimmarrje, si dhe në sfera të tjera profesionale qofshin ato në fushën penale, publike apo civile. Studentët inkurajohen të studiojnë drejtësinë dhe institucionet ligjore si pjesë integrale e sistemeve shoqërore dhe politiko-ekonomike.
 
b) Misioni
 
Misioni i këtij departamenti është të pergatisë juristë, udhëheqës të ardhshëm të kualifikuar që kontribuojnë në avancimin e drejtësisë dhe mirëqëninen e shoqërisë; të aftë të marrin pozita dhe të zënë vende pune në organet e drejtësisë, organet gjyqësore, prokurori, avokaturë, administratën shtetërore, institucionet dhe organet e ndryshme të pushtetit shtetëror dhe në sektorin privat. Departamenti angazhohet të jetë një institucion në ndjekje aktive me qëllimin e zgjidhjes së problemeve ligjore, sociale, ekonomike dhe politike, të brendshme dhe ndërkombëtare që janë me interes të veçantë për shoqërinë.
 
c) Vizioni
 
Vizioni i departamentit është paraqitja para studentëve e një programi të kompletuar me të gjitha njohuritë e nevojshme për një përgatitje sa më të plotë akademike dhe profesionale në fushën e drejtësisë, duke u mbështetur në baza të etikës profesionale, për te zhvilluar mendimin kritik tek studentet dhe për t’i bërë ata të kuptojnë rëndësinë e rolit të tyre në shoqëri. Për këtë arsye, programi i integruar i studimit të ciklit të dytë në drejtësi që propozohet të ofrohet ka për mision të përgatisë specialistë të ardhshëm në fushën e drejtësisë, të kualifikuar në sferën civile, penale, administrative, tregtare, procedurale në aspektetin kombëtar dhe ndërkombëtar, me aftësitë interpretuese të nevojshme për zgjidhjen e problemeve në zbatimin e së drejtës, të cilët mund t’i shërbejnë institucioneve publike dhe të biznesit brenda dhe jashtë vendit.
 
d) Koha mesatare e zgjatjes së studimeve
 
Sic parashikohet në Rregulloren e programit, kohëzgjatja normale e përfundimit të studimeve të ciklit të dytë në drejtësi në drejtësi është dhjetë semestra. Periudha maksimale e studimeve është dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve.
 
e) Numri i krediteve ECTS (Sistemi Europian i Tranferimit të Krediteve)
 
Programi i Integruar i Studimit të Ciklit të Dytë: Master i Shkencave në Drejtësi realizohet me 300 ECTS, në përputhje me planin mësimor të propozuar nga departamenti i drejtësise, me vendim të Këshillit të Fakultetit dhe miratur me vendim të Senatit Akademik të Kolegjit Universitar “Bedër”.
 
f) Gjuha e mësimdhënies
 
Gjuha e mësimdhënies në programin e integruar i studimit të ciklit të dytë: Master i Shkencave në Drejtësi është gjuha shqipe. Megjithatë duke marrë në konsideratë zhvillimet ndërkombëtare në fushën e drejtësisë dhe aspiratat e Shqipërisë në Bashkimin Europian, lëndet me karakter ndërkombëtar dhe Europian mund të zhvillohen edhe në gjuhën angleze.
 
g) Titulli i diplomës
 
Emërtimi i diplomës së fituar nga studenti që përfundon studimet në programet e ciklit të parë në drejtësi parashikohet në Rregulloren e programit. Në përfundim të programit të integruar i studimit të ciklit të dytë: Master i Shkencave në Drejtësi, studentët do të pajisen me “Diplomë Master i Shkencave në Drejtësi”.
 
h) Mundësitë e Punësimit
 
Njohuritë e këtij programi janë hartuar në mënyrë të tillë që të jenë të lidhura sa me tregun privat aq edhe me atë publik, në pozicione pune që kërkojnë specializime në drejtësi me njohuri të së drejtës vendase dhe asaj ndërkombëtare dhe evropiane. Portofoli i pozicioneve të punës është i shumëllojshëm dhe me mundësi të shumta punësimi.
 
Programi i studimit synon të formojë profesionistë të përgatitur për një treg të diversifikuar pune, duke nisur nga ai i brendshëm dhe më gjerë, rajonal, evropian dhe ndërkombëtar. Nëpërmjet këtij programi synohet punësimi në sektorë të tillë si:
  • Jurist\specialist në pushtetin qendrore dhe vendor
  • Jurist\specialist konsulent ligjor në kompani private
  • Jurist\specialist në organizma nderkombëtare në vend e më gjerë, si specialistë të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës evropiane
  • Jurist\specialist\ konsulent të shërbimeve juridike, publike, bankare, arbitrazh
  • Avokat\ noter si dhe kualifikim për pjesmarje në provimin e profesioneve të lira
  • Asistent kërkimor\mësimor pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe më gjerë
 
Programi i integruar i studimit të ciklit të dytë kualifikon studentët në pjesëmarrje në provimet shtetërore të profesioneve të lira dhe për shkollën e magjistraturës.
 
i) Objektivat e programit ciklit të parë në Drejtësi
 
Objektivat e këtij programi janë ofrimi i një formimi të përgjithshëm në fushën e shkencave juridike, duke ofruar disiplina të formimit të përgjithshëm bazë, karakterizues, të ngjashme integruese si dhe disiplina të formimit specializues të natyrës juridike, kombinuar me formim të natyrës së shkencave politike ndërkombëtare dhe ekonomike, me një përqendrim të posaçëm tek e drejta dhe politikat e Bashkimit Evropian. Programi i studimit synon të japë një formim të përgjithshëm në shkencat juridike të kombinuar mes të drejtës së vendit si dhe asaj rajonale evropiane dhe ndërkombëtare.
 
Programi ka për objektiv:
  • T’u ofrojë studentëve njohuri të përgjithshme të mbështetura në lëndë të formimit bazë të karaktereve historike dhe filozofike si dhe të realizojë gjatë viteve të tjera akademike thellimin e njohurive që përkojnë me profilin e diplomës në drejtësi, duke vendosur objektiva specifikë për përgatitjen e ekspertëve në fushën e drejtësisë, të aftë për të operuar në këtë fushë, në sektorin shteteror apo atë privat.
  • T’u ofrojë studentëve njohuritë bazë që do të jenë të nevojshme për ndjekur ciklet e tjera të njëpasnjëshme të studimit, dhe njëkohësisht t’u përgjigjet kërkesave me të cilat do të përballen studentët gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
  • T’u japë studentëve mundësinë të përfitojnë kapacitetet analitike dhe konceptet themelore të ligjit, terminologjinë ligjore, teoritë ligjore dhe procedurat e nevojshme për të trajtuar problematikat teorike dhe praktike në fushën e së drejtës.
  • Të integrojë mësimdhënien, kërkimin dhe shërbimet në mënyrë që të pasurojnë përvojën e të nxënit, duke përcjellë risitë më të fundit në fushën e shkencës dhe praktikës së jurisprudencës;
  • T’u ofrojë studentëve formimin e eksperiencës profesionale nëpërmjet praktikave profesionale dhe lëndëve të posacme të klinikës ligjore, me anë të mundësive për të marrë pjesë në zgjidhjen e konflikteve gjyqësore.
  • Të mundësojë zhvillimin e bashkëpunimit me të gjitha institucionet publike dhe private që janë pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë të vendit, rajonale dhe perëndimore.
  • Të përvetësojnë aftësi për t’iu përshtatur tregut të punës në fusha të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare publike dhe private.
  • Të jetë konkurrues në nivel vendor, rajonal, evropian e më gjerë nëpërmjet ofrimit të përvojës dhe kualifikimit të personelit akademik të brendshëm dhe të ftuar, organizimit të debateve dhe diskutimeve në cështje të ndryshme të fushës juridike, si dhe vënies në shërbim të shërbim të studentëve të një literaturë të pasur juridike e bashkëkohore.
  • Të familjarizojë studentët me të drejtën ndërkombëtare e evropiane dhe demonstrimi i aftësive solide në njohjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dhe në zbatueshmërinë e ligjit sipas regjimeve të ndryshme juridike.
j) Plani Mësimor
 
Plani mësimor është i organizuar në 5 (pesë) vite, 10 (dhjetë) semestra, me nga 32 (tridhjetë e dy) javë në vit, përfshirë edhe javët e provimeve. Programi përbëhet nga 300 kredite ECTS ku janë parashikuar 60 kredite ECTS në vit.
 
Format kryesore të mësimdhënies janë leksionet, seminaret dhe detyrat e kursit etj; e në përfundim të secilës lëndë është parashikuar zhvillimi i provimit përkatës, si dhe teza e diplomes pas përfundimit të të gjitha provimeve. Programi studimor 5 vjecar është organizuar me gjithsej 35 module, të organizuara në lëndë përbërëse përfshirë praktikën dhe tezën e diplomës.
 
Orari mësimor ndërtohet mbi bazën e harmonizimit të elementëve të mësimit dhe të shpërndarjes racionale të ngarkesës së studentit. Kjo ngarkesë luhatet nga 20 – 24 orë në javë.
 
Lëndët klasifikohen në dy grupe kryesore: lëndë të detyruara dhe lëndë me zgjedhje.
 
Tabelat bashkëlidhur të plan programit janë të organizuara si vijon:
 
 
Viti I              12 lëndë/module
Viti II             12 lëndë/module
Viti III            12 lëndë/module
Viti IV           12 lëndë/module nga të cilat 2 me zgjedhje
Viti V             7 lëndë/module nga të cilat 3 me zgjedhje
 
Ngarkesa totale vjetore në auditor për vitet e studimit është:
 
Viti I              600 orë/vit
Viti II             670 orë/vit
Viti III           680 orë/vit
Viti IV           685 orë/vit
Viti V             495 orë/vit
me gjithsej            3130 orë në auditor dhe 4.370 orë për punë të pavarur.
 
Ngarkesa jashtë auditorit për vitet e studimit është:
 
Viti I              900 orë/vit
Viti II             830 orë/vit
Viti III            820 orë/vit
Viti IV           815 orë/vit
Viti V             1005 orë/vit
me gjithsej        4.370 orë/vit
 
 
Në planin mësimor janë përfshirë kreditet përkatëse për çdo lëndë apo aktivitet formues. Lëndët janë sjellë të grupuara në veprimtaritë formuese nga A në F, si vijon:
 
 
Disiplina të formimit të përgjithshëm:          A                     51 kredite
Disiplina karakterizuese:                             B                     161 kredite
Disiplina karakterizuese:                             C                     24 kredite
Disiplinat me zgjedhje:                                D                     20 kredite
Njohuri të tjera formuese:                           E                      14 kredite
Teza e Diplomës, provim përfundimtar:      F                      30 kredite
 
Çdo lëndë përfshin syllabusin e saj me elementët përkatës: emërtimi i lëndës/modulit, viti/semestri kur zhvillohet lënda, emri dhe kualifikimi i pedagogut që do të zhvillojë lëndën, vendin që zë lënda në formimin tërësor të studentit, njohuritë dhe aftësitë që i jep studentit kjo lëndë, temat që do të trajtojë lënda në formimin teorik dhe praktik, ngarkesa në orë në auditor dhe jashtë auditorit, si dhe në ECTS, format dhe metodat e mësimdhënies të lëndës dhe raportet midis tyre, format e vlerësimit të studentëve dhe detyrimet e tyre për lëndën, si dhe literaturën e detyruar dhe ndihmëse, duke qenë në përputhje me kërkesat ligjore.

Plani Mësimor

Drejtësi (5-vjeçar)