I ftuari i rradhës nga klubi studentor "Bedër Laë Students Association" në kuadër të ciklit “Brownbag Seminars” ishte Drejtori Ekzekutiv i European Movement Albania Z. Gledis Gjipali. Në një bashkëbisedim me studentët e drejtësisë, Z. Gjipali parashtroi disa nga elementët juridikë që e pengojnë Shqipëri që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
“Ne kemi ecur përpara, pavarësisht uljeve dhe ngritjeve që kemi pasur, arritja për t’u bërë gati për integrimin është një proces që bëhet avash”, shtoi ndër të tjera Z. Gledis Gjipali. Gjithashtu theksoi se angazhimi dhe kërkimi i së drejtës nga qytetarët shqiptarë është shumë i rëndësishëm për përparimin e vendit tonë.
Duke u nisur edhe nga interesi i studentëve të drejtësisë, drejtori i EMA-s, shpjegoi edhe elementët me të cilat organizata e tij ndihmonte në procesin e integrimit në BE duke promovuar vlerat demokratike gjatë procesit të hartimit të politikave. Nërkohë që prezantoi përpara studentëve edhe faqen zyrtare të organizatës, e cila përmbante artikuj të ndryshëm juridik dhe jo vetëm, nga ku studentët mund të sigurojnë informacione në fushat që iu interesojnë.
Në fund të takimit studentët ndanë mendimet e tyre dhe parashtruan pyetje në lidhje me procesin e integrimit.