Në kuadër të lëndës “Sisteme Ligjore të Krahasuara”, studentët e vitit të tretë bachelor të Departamentit të Drejtësisë, organizuan një gjyq simulues me qëllim zbatimin në praktikë të leksioneve që marrin në klasë dhe përshtatjen e tyre me situatat e botës reale.
Gjykimi nga një gjyqtar dhe gjykimi i jurisë, është një nga dallimet kryesore të Civil Law dhe Common Law, prandaj është e rëndësishme të kuptohen dallimet midis tyre në mënyrë që të kuptohet më qartë dhe mënyra se si funksionojnë këto dy sisteme ligjore. Gjyqi simulues përmbante pjesën më të madhe të elementeve të një gjykimi real, duke përfshirë trajtimin e dëshmitarëve dhe dëshmive, si dhe dhënien e argumenteve përpara një jurie, e cila do të japë verdiktin përfundimtar.
Nëpërmjet këtij projekti studentët patën mundësi të shikojnë në praktikë, mënyrën se si të argumentohet në rastet përpara një jurie dhe të kuptojnë mënyrën se si funksionon gjykimi me juri. Gjyqi simulues u organizua me mbështetjen e studentëve nga Departamenti i Shkencave Islame, Departamenti i Gjuhës dhe Letërisë Angleze, Departamenti i Shkencave të Edukimit dhe Departamenti i Shkencave të Komunikimit, studentët e të cilëve ishin anëtarë të jurisë gjykuese.
Në fund të gjyqit simulues, anëtarët e jurisë pas një diskutimi të gjatë dhanë edhe verdiktin përfundimtar mbi rastin e trajtuar.