Open Akte: Një mjet i ri në shërbim të informimit të qytetarëve dhe të rritjes së transparencës së institucioneve

Blog nga Dudi Ilias*

Pikënisja e iniciativës

Aktet normative të Këshillit të Ministrave (në vijim "aktet") përbëjnë grupin më të madh të instrumenteve juridike që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve dhe qytetarëve. Edhe pse aksesi i drejtpërdrejtë i qytetarëve apo grupeve të interesit në procesin e hartimit, bashkërendimit, apo konsultimit të tyre është tepër i kufizuar, çdo person ka të drejtë të njihet me këtë proces pasi ai ka përfunduar. Megjithatë, ushtrimi në praktikë i kësaj të drejte mbetet problematik. Vullneti për të ofruar një zgjidhje efektive për këtë problematikë përbën pikënisjen e Open Akte. 

Ndërsa aktet e miratuara publikohen nga Qendra e Botimeve Zyrtare (QBZ), aksesi në relacionet e tyre shpjeguese është i kushtëzuar nga një kërkesë paraprake për njohje me to. Open Akte është konceptuar si një mjet që e eliminon këtë barrierë dhe mundëson njohjen me këto dokumente në çdo kohë.

Misioni i Open Akte

Iniciativa ka dy objektiva kryesorë: (1) informimin objektiv të qytetarëve; dhe (2) rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve. Nëpërmjet publikimit të relacioneve shpjeguese, synohet ofrimi i një kontributi për kompensimin e nivelit të ulët të konsultimit publik të këtyre akteve. 

Ligji nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik” u lejon organeve publike një hapësirë të gjerë diskrecioni për të përjashtuar projektakte të ndryshme nga konsultimi publik. Frekuenca e ulët e konsultimit për vitin 2022 është një tregues i përditësuar i nivelit të aksesit të qytetarëve dhe grupeve të interesit në këtë proces. 

Në programin e përgjithshëm analitik të projektakteve të vitit 2022, parashikohej shqyrtimi dhe miratimi nga Këshilli i Ministrave i 284 projektakteve, prej të cilave 229 projektvendime. Sipas Raportit Vjetor të Performancës për Konsultimet Publike të po këtij viti, rezulton se 206 projektakte janë përjashtuar nga procesi i konsultimi publik. Ndërkohë, nga një kërkim i thjeshtë në QBZ vërehet se gjatë vitit 2022, Këshilli i Ministrave ka miratuar në total 739 akte. Nuk ka të dhëna nëse pjesa tjetër e këtyre akteve i është nënshtruar konsultimit publik.

Garantimi i transparencës dhe integritetit të procesit të hartimit dhe bashkërendimit të projektakteve, veçanërisht kur ato janë të përjashtuara nga konsultimi publik, është tejet i rëndësishëm. Ky proces është i pasqyruar në relacionin shpjegues, i cili ofron një gamë të gjerë të dhënash me interes të lartë publik. Për këtë arsye, ky dokument është një burim i rëndësishëm i informacionit zyrtar, i cili mund të përdoret për të formuar pikëpamje objektive mbi punën e Këshillit të Ministrave, apo mbi gjendjen e shtetit dhe të shoqërisë në përgjithësi. 

Sfidat gjatë implementimit

Popullimi fillestar i databazës së Open Akte ishte një proces mjaft sfidues. Ky proces nisi me testimin në praktikë të kufijve të së drejtës për informim. Testi prodhoi qëndrime zyrtare të ndryshme. Një pjesë e institucioneve (2 nga 10) respektuan kufijtë ligjorë të së drejtës për informin. Një pjesë tjetër (6 nga 10) e kufizuan këtë të drejtë me arsyetimin se "relacioni shpjegues i një projektakti normativ të Këshillit të Ministrave është konfidencial". Pjesa e mbetur (2 nga 10) fillimisht i respektoi kufijtë ligjore, me pas ndryshoi qëndrim duke e kufizuar të drejtën për informim me arsyetimin e mësipërm. 

Rezultati i testimit vendosi në dukje nevojën për krijimin e një precedenti të detyrueshëm ligjor. Nëpërmjet vënies në lëvizje të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me vendimet nr. 6061626364656667 dhe 68 të vitit 2022, u bë i mundur zyrtarizimi i një precedenti të detyrueshëm për unifikimin e qëndrimit në favor të transparencës së relacioneve shpjeguese të akteve.

Edhe pse përditësimi i databazës vijon të mbetet sfidues, aktualisht Open Akte është populluar me relacionet shpjeguese të akteve normative të Këshillit të Ministrave të vitit 2022 për 9 nga 15 institucione propozuese. Ndërkohë ka nisur edhe publikimi i relacioneve për aktet e vitit 2023.

Ndërfaqja dhe përdorimi i Open Akte

Open Akte mund të aksesohet në dy mënyra: (1) duke kërkuar drejtpërdrejt adresën o-akte.com; ose (2) duke kërkuar në çdo motor kërkimi për “open akte”. 

Ndërfaqja e Open Akte është ideuar për të ofruar informacionin e kërkuar vetëm me tre klikime. Ndërsa databaza e Open Akte është konceptuar për të qenë sa më miqësore me përdoruesin, duke i ngjasuar një dokumenti të përdorimit të përditshëm. Aktet janë të klasifikuar sipas institucionit propozues dhe të renditur nga më i hershmi tek më i fundit. 

Hapi i parë është përzgjedhja e vitit kur është miratuar akti. Viti është i afishuar në krye të faqes, si edhe në brendi të saj.

Hapi i dytë është përzgjedhja e institucionit propozues të aktit nga lista e afishuar në faqe. Butonat me ngjyrë të kuqe përmbajnë informacion të përditësuar, ndërsa ata pa ngjyrë përmbajnë informacion të pjesshëm.

Hapi i fundit është përzgjedhja e aktit të kërkuar nga lista e databazës. Në krah të çdo akti janë dy lidhje, ku “Lexo aktin” e drejton përdoruesin për njohje me aktin normativ të publikuar në faqen elektronike të QBZ-së, ndërsa “Lexo relacionin” e drejton përdoruesin për njohje me relacionin e aktit të përzgjedhur. 

Publikimet e reja, abonimi dhe kontakti me Open Akte

Aktualisht ka dy mënyra informimi për publikimet e reja të relacioneve shpjeguese. Mënyra e parë është vizita dhe ndjekja në vijimësi e faqes zyrtare të Open Akte. Ndërsa mënyra e dytë është ndjekja e Open Akte në rrjetin social LinkedIn dhe aktivizimi i njoftimeve për postimet reja. Së shpejti, do të jetë funksional edhe sistemi i abonimit nëpërmjet e-mailit, për të marrë njoftime edhe më të shpejta.

Mënyra kryesore e komunikimit me Open Akte është nëpërmjet e-mailit "[email protected]". Ndërkohë që punohet me dedikim të plotë për realizimin e misionit të kësaj iniciative, pyetjet, sugjerimet ose kritikat konstruktive janë gjithmonë të mirëpritura.

*Dudi Ilias është një profesioniste e re në fushën e antikorrupsionit në Shqipëri. Ajo është themeluese e Open Akte, një databazë e re elektronike që nxit transparencën e procesit të hartimit dhe bashkërendimit të akteve normative.

Ajo ka shërbyer si specialiste e antikorrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë. Njëkohësisht, ka shërbyer edhe si eksperte qeveritare në Mekanizmin e Vlerësimit të Implementimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit (UNCAC) dhe si anëtare e delegacionit shqiptar në Grupin e Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO). 

Dudi është pjesë e rrjetit të të diplomuarve në Kolegjin Universitar Bedër, ku ka përfunduar studimet Bachelor në Drejtësi me rezultate të larta. Ajo më pas ka vijuar studimet Master në Drejtësi pranë Universitetit të Pensilvanisë në SHBA, ku edhe është specializuar në fushën e antikorrupsionit. Për arritjet e saj akademike dhe profesionale, në vitin 2020 Dudit i është akorduar çmimi i karrierës "Bedër Career Award".