Departamenti i Drejtësisë në Universitetin Hëna e Plotë, Bedër në bashkëpunim me Universitetin e Barit, Aldo Moro kanë mbajtur sot një tryezë të rrumbullakët diskutimi me temë: “The Individual, The Society and Sustainable Development: From Globalization to Glocalization” (Individi, Shoqëria dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm: Nga Globalizmi në Glokalizëm).
Profesor Sebastiano Tafaro, në fjalën e tij u shpreh se bota universitare duhet të japë orientim se si duhet të jetë modeli i shtetit në kushtet e reja politiko-ekonomike. Gjithashtu ai u ndal tek roli i të rinjve dhe ndikimi i tyre në krijimin e perspektivës për një demokraci të qëndrueshme.
Ish-ministri i Drejtësisë, profesor Enkelejd Alibeaj theksoi që sistemi i drejtësisë duhet të japë llogari për mënyrën e ushtrimit të funksionit dhe balancimit e ndarjes së pushteteve pasi i vetmi sovran në një shoqëri demokratike, është populli.
Profesoresha, Laura Tafaro duke folur mbi sigurinë mjedisore, shprehu rëndësinë e bashkëpunimit të përbashkët në projektet që janë të lidhura me cështjet ligjore.
Dr.Bojana Hajdini, në fjalën e saj mbi emigrimin dhe globalizimin nënvizoi faktin se si në ditët e sotme është bërë më e lehtë lëvizja e mallrave dhe produkteve por nuk po ndodh i njëjti fenomen me lëvizjen e njerëzve, pasi vendet e Bashkimit Europian po e ngurtësojnë si proces për shkak të problemeve që sjell emigrimi.
Përgjegjësi i Departamentit të Drejtësisë, profesor Ferdinand Xhaferaj shprehu bindjen dhe besimin që ky ishte takimi i parë i një rruge të gjatë e të frytshme bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve në fushat e eksperiencave akademike dhe studentore si dhe të kerkimit shkencor.