Departamenti i Drejtësisë në Shkollën e lartë “Hëna e plotë” (Bedër) përfaqësoi për të 2-tën herë në konkursin e simulimit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë.
Studentët Jonida Shtylla, Fatjona Halaj, Helena Dokaj, Amarildo Hoxha, Endri Çela përbëjnë ekipin garues në këtë konkurs ndërkombëtar.
Konkursi i simulimit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve u zhvillua nga data 17 deri më 22 maj 2015 në Hagë, Holandë. Ky konkurs mirëpreti universitete nga e gjithë bota, për një shkallë të madhe të debatit, duke simuluar punimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve. Konkursi konsistoi në një program të ngjeshur arsimor dhe social, prej gjashtë ditësh, duke sjellë së bashku studentë me prejardhje dhe kultura të ndryshme në Hagë, për të sfiduar aftësitë e tyre si avokatë të ardhshëm ndërkombëtarë. Raundi përfundimtar u zhvillua në një sallë gjyqi aktuale me trup gjykues konkret të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Konkursi përfshin bashkëpunimin me gjyqtarë nga gjykata ndërkombëtare, profesorë të së drejtës ndërkombëtare (penale) dhe profesionistë të tjerë ligjorë. Ky rrjet e bën konkursin një simulim real të seancave që zhvillohen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Çështjet e konkursit i drejtohen çështjeve themelore të së Drejtës Penale Ndërkombëtare si procedurale ashtu dhe substanciale.
57 ekipe nga 38 vende të ndryshme të botës u regjistruan në edicionin e vitit 2015 në konkursin e stimulimit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.