Konkursi Ndërkombëtar Jessup, nën administrimin e ILSA-s bashkon studentë të drejtësisë nga i gjithë globi. Tashmë në vitin e tij të 56-të , Jessup është konkursi ndërkombëtar më i madh në botë për studentët e drejtësisë, me pjesëmarrës nga më shumë se 600 Universitete në mbarë botën.
Për të dytin vit radhazi, në Shkollën e lartë “Hëna e plotë” (Bedër) ka formuar një ekip studentësh të kualifikuar të së drejtës ndërkombëtare që do të mundësojnë përfaqësimin e Shqipërisë për të tretën herë në historinë e Jessup.
Konkursi simulon një çështje gjyqësore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara. Që nga shtatori 2014 ekipi ka studiuar problematikën e çështjes gjyqësore në Jessup, e cili adreson efektin e një ndryshimi rrënjësor të rrethanave të një traktati dypalësh dhe çështjet procedurale dhe qenësore që dalin nga aneksimi i territorit të një kombi nga një tjetër.
Ekipi ka hulumtuar dhe ka përgatitur argumentet thelbësore me gojë për të përfaqësuar çdo anë të mosmarrëveshjes imagjinare.
Ekipi përfaqësuar nga studentët: Mandrit Kamolli, Ermira Shkreta, Emsal Ajredini, Eduart Gjoni dhe Albi Cela udhëtoi në Uashington për të paraqitur prezantimet përkatëse në një garë kokë me kokë me homologët e tyre, studentë nga e gjithë bota.Përfaqësimi i Shqipërisë në këtë konkurs nga Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër) u bë i mundur falë mbështetjes nga Ambasada e Norvegjisë për Kosovën dhe Shqipërinë.