Departamenti i Drejtësisë, me datë 21 dhjetor 2021 në orën 11.00, organizoi promovimin e librit “Të bëhesh një jurist i mirë” me autor Eduart Halimi. Janë të ftuar studentët e programit bachelor dhe master për të marrë pjesë.
z. Eduart Halimi ka përfunduar studimet për drejtësi dhe më pas Shkollën e magjistraturës. Në vitin 2001 ka themeluar firmën ligjore “Halimi Law Firm” që ka përfaqësuar qindra kompani dhe klientë.
Gjithashtu, z. Halimi është zgjedhur deputet i Partisë Demokratike për 3 legjislatura (2009; 2013; 2017) dhe ka mbajtur pozicione të ndryshme si Zëvendësministër Drejtësisë (2005-2008); Avokat i Përgjithshëm i Shtetit (2008-2009) dhe Ministër i Drejtësisë (2011-2013).
Z. Halimi e prezantoi librin si një manual profesional i cili synon të përgatisë juristët e rinj për tregun e ardhshëm të punës nëpërmjet të mësuarit, të menduarit, të shkruarit dhe të folurit si një jurist i mire. Ai foli për rëndësinë e ushtrimit të profesionit të avokatit në fusha specifike, ku theksoi specializimin e juristëve sidomos në fushën e naftës, të bankave, të ndërtimit dhe të energjisë, si fusha me shumë potencial për vitet në vazhdim.
Ndër të tjera, ai i njohu studentët me projektet e fundit të fondacionit “Halimi Foundation Institute”, ndër të cilët përfshihej edhe organizimi i një konkursi në formën e simulimit të gjyqeve, i cili do të zhvillohet në një nga mediat më të rëndësishme në vend. Duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të studentëve të Kolegjit Universitar Bedër në konkurse ndërkombëtare, ai i ftoi ata të bëheshin pjesë e këtij konkursi si një mënyrë për t’u aftësuar edhe më shumë nga ana praktike. Në përfundim të takimit, z. Halimi dhuroi disa kopje të librit për bibliotekën e universitetit. Studentët shprehën interes të vecantë për aktivitetin dhe librin.