Seminar: “Ndihma ligjore falas në Shqipëri: Roli dhe Kontributi i Klinikave Ligjore”

Departamenti i Drejtësisë në bashkëpunim me Klinikën Ligjore “Bedër” organizuan një seminar të hapur, ku e ftuar ishte znj. Patricia Pogaçe, drejtoreshë e Drejtorisë së Zbatimit të Politikave dhe Administrimit të Ndihmës Juridike Parësore pranë Ministrisë së Drejtësisë. Znj. Pogaçe trajtoi temën "Ndihma ligjore falas në Shqipëri: Roli dhe Kontributi i Klinikave Ligjore". Ajo fillimisht analizoi legjislacionin në fuqi që rregullon ndihmën juridike falas, duke u shpjeguar studentëve ndihmën ligjore parësore dhe dytësore, diferencat mes tyre dhe subjektet që përfitojnë nga kjo lloj ndihme.

 

Më pas, dha informacion mbi të gjitha subjektet që ofrojnë ndihmën juridike falas në Shqipëri, duke përfshirë qendrat, organizatat jofitimprurëse, si dhe universitetet. Lidhur me këtë, ajo falenderoi edhe Departamentin e Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër për themelimin e Klinikës Ligjore, duke theksuar rëndësinë e shërbimit në komunitet nëpërmjet ofrimit të ndihmës juridike falas.

 

Në përfundim Znj. Pogaçe nxiti studentët që të jenë sa më të angazhuar pranë kësaj klinike, pasi kjo do t’i ndihmonte në aftësimin praktik. Biseda vijoi me pyetjet e studentëve, të cilët shfaqën interes të veçantë rreth temës.