Promovohet libri “Të bëhesh një jurist i mirë”

Departamenti i Drejtësisë në bashkëpunim me “Halimi Law & Tax” organizuan sot promovimin e librit “Të bëhesh një jurist i mirë”. Z. Halimi e prezantoi librin si një manual profesional i cili synon të përgatisë juristët e rinj për tregun e ardhshëm të punës nëpërmjet të mësuarit, të menduarit, të shkruarit dhe të folurit si një jurist i mire. Ai foli për rëndësinë e ushtrimit të profesionit të avokatit në fusha specifike, ku theksoi specializimin e juristëve sidomos në fushën e naftës, të bankave, të ndërtimit dhe të energjisë, si fusha me shumë potencial për vitet në vazhdim.

Ndër të tjera, ai i njohu studentët me projektet e fundit të fondacionit “Halimi Foundation Institute”, ndër të cilët përfshihej edhe organizimi i një konkursi në formën e simulimit të gjyqeve, i cili do të zhvillohet në një nga mediat më të rëndësishme në vend. Duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm të studentëve të Kolegjit Universitar Bedër në konkurse ndërkombëtare, ai i ftoi ata të bëheshin pjesë e këtij konkursi si një mënyrë për t’u aftësuar edhe më shumë nga ana praktike. Në përfundim të takimit, z. Halimi dhuroi disa kopje të librit për bibliotekën e universitetit. Studentët shprehën interes të vecantë për aktivitetin dhe librin.