Zhvillohet konferenca studentore në Drejtësi

Departamenti i Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër, në bashkëpunim me klubin studentor “Bedër Law Students Association”, zhvilluan konferencën e 5-të studentore me temë: “Shqipëria nën Ndërveprimin e Ligjit, Shoqërisë dhe Politikës”.

Punimet e kësaj konferencë u përshëndetën nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Rrahim Ombashi dhe nga Z. Enkelejd Alibeaj. Në fjalën e tij, Z. Alibeaj vlerësoi iniciativën e të rinjve në organizimin e një eventi të tillë shkencor në rang studentor. Sipas tij, elementët ligj, shoqëri dhe politikë dhe raporti korrekt mes tyre, kanë një rëndësi vendimtare për mirëfunksionimin e një vendi. Konferenca, gjithashtu u përshëndet nga Znj. Ermira Shkreta, përfaqësuese e Departamentit të Drejtësisë dhe nga Thoma Kristo, zv. President i klubit studentor “Beder Law Students Association”.

Me pjesëmarrjen e rreth 19 studentëve nga cikli i parë dhe i dytë i studimeve, punimet trajtonin tema të ndryshme aktuale, të cilat përbëjnë sot thelbin e debatit në drejtësinë shqiptare.

Konferenca u zhvillua në 2 sesione, ku në çdo sesion referuesit paraqitën punimet e tyre që u vlerësuan me certifikata nga juria e përbërë nga pedagogë të universitetit.

Përpos certifikatave, 3 punimet më të mira u vlerësuan edhe me çmime të tjera.

1. Erisa Datja & Ledina Shabani, me temën ‘Reforma në drejtësi, parakusht për hapjen e negociatave’’ ishin fitueset e çmimit të parë.

2. Kristela Nikolla, me temën “Privatësia dhe mbrojtja e të dhënave personale’’ u vlerësua me çmimin e dytë.

3. Fituesja e çmimit të tretë ishte studentja Jona Kaso, me temën: “Cënimi i të drejtës për informim kur bëhet fjalë për sekretet shtetërore’’.

Risi e kësaj konference këtë vit ishte pjesëmarrja e disa studentëve të drejtësisë nga universitete në SHBA.